Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 11 e 30 do të bllokohet për qarkullim rruga Prishtinë – Gjilan, shkruan Fol Drejt.
Bllokimi i kësaj rruge, sipas policisë, bëhet si shkak i protestës së paralajmëruar në Graçanicë.
“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graqanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graqanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Për më tepër, policia sugjeron shfrytëzimin e rrugëve alternative nga qytetarët:
“Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative.”/FolDrejt/