Në Shqipëri Partia socialiste njoftoi sot se ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Iir Meta. Është hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anulluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor, shkruan sot Zëri i Amerikës duke pasqyruar zhvillimet në vend.
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë, ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer “një akt brutal ndaj Republikës”. Sipas zonjës Spiropali “ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion”. Një qëndrim i paralajmëruar një ditë më parë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama , sipas të cilit vendimi i Kreut të Shtetit është “një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp që s’ka më turp”, ndërsa shtoi se “Ilir Meta e ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë”.