Bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin e u.d drejtorit të përgjithshëm të RTK-së z. Shkumbin Ahmetxhekaj, për shkarkimin Lorik Arifajt nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
“Ky propozim për shkarkim ka ardhur si rezultat i dështimit të z. Arifaj në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive, si dhe ka vepruar në disa raste në kundërshtim me Ligjin për RTK-në, të cilat janë të pasqyruara tek e shkeljet e evidentuara në vendimin për shkarkim”, njofton Bordi i Radio Televizionit të Kosovës.
Bordi i RTK-së, në këtë mbledhje, gjithasht miratoi Raportin vjetor financiar të RTK-së për vitin 2021 dhe raportin vjetor të punës për vitin 2021.
Bordi njofton se në kuadër të kësaj mori vendim për shpalljen publike për rekrutimin e dy anëtarëve të jashtëm për Komitetin e brendshëm të auditimit.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Arifaj, i cili thotë se Bordi vendimet po i marrin kryesisht natën.
Ai tha se dyshon që ky është një vendim politik, të cilin do ta kundërshtojë në Organet e Drejtësisë.
“Vendimi vjen pasi që kam perfunduar Raportin Vjetor te Punes per vitin 2021, qe me ka marre rreth 3 muaj kohë, i cili duhet te dorezohet ne Kuvend deri me 31 mars te ketij viti, e të cilin nuk do të mund ta bente askush tjetër. Në maj bëhen 20 vjet të kontributit tim në RTK, e për këtë nuk do të flas shumë, pasi flasin të gjithë ata që më njohin dhe kanë pasur rastin të punojnë me mua, dhe te ma njohin profesionalizmin dhe perkushtimin ne pune”, thuhet në postimin e tij në Facebook.