Qeveria e Spanjës dërgoi protestë diplomatike në ambasadën britanike në Madrid për ato që i quajti “tre incidente të rënda” që shkelën sovranitetin e vendit, raportoi sot gazeta spanjolle “El Pais”.
Në një dokument që ka arritur “El Pais”, ushtruesi i detyrës të ministrit të Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares shprehu “protestën e tij të fortë” ndaj ngjarjeve të këtij muaji, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Incidenti i parë ndodhi më 1 gusht, kur nga një cisternë u derdhën 2.000 litra karburant. Derdhja mbylli portin e Gjibraltarit për një ditë e gjysmë dhe karburanti mbërriti deri në plazhet spanjolle.
Spanja i ka kujtuar Britanisë së Madhe se bregdeti është pjesë e zonës së mbrojtur natyrore ku bunkerimi është i paligjshëm sipas ligjit spanjoll.
Incidenti i dytë ndodhi më 14 gusht, kur një varkë patrullimi spanjolle ndoqi një anije të Gjibraltarit që po lundronte pa ndriçimin e duhur. Autoritetet e Gjibraltarit dënuan Spanjën për hyrjen në ujërat e saj dhe se tre anije britanike i dolën në rrugë varkës patrulluese, të cilën Spanja e konsideron si “ndërhyrje të pajustifikuar”.
Kohët e fundit, anijet britanike dyshohet se “ngacmuan” një anije peshkimi spanjolle pranë Gjibraltarit, e cila u akuzua për peshkim jashtë territorit detar britanik. Meqenëse ndodhi në ato që Spanja pretendon se janë ujërat e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e vendit tha se ishte një shkelje e sovranitetit spanjoll.
Gjibraltari, një territor britanik përtej detit në skajin jugor të Gadishullit Iberik, ka qenë një burim tensioni midis dy vendeve për shekuj.
Spanja pretendon të drejtat detare në të gjitha zonat, përveç brenda porteve, siç përcaktohet nga Traktati i Utrehtit të vitit 1713. Megjithatë, Britania e Madhe pretendon deri në 3 milje detare rreth territorit shkëmbor. Në këtë ankesë diplomatike, Spanja theksoi se qëndrimi i saj për ujërat “mbetet i pandryshuar”.
“Spanja do të vazhdojë të ushtrojë sovranitetin e saj në ujërat spanjolle në të njëjtën mënyrë siç ka bërë që nga kohërat e lashta”, thuhet në dokumentin e publikuar nga “El Pais”./FolDrejt/