Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka larguar përfundimisht nga puna dy zyrtarë korrektues në Prizren, të cilët janë të lidhur me rastin “Dehari”, shkruan Fol Drejt.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se përfundimisht ka larguar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.”, shkruan në raportin zyrtar.
Tutje, në njoftim thuhet se ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.
“Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës duke u bazuar në këto shkelje ka vendosë largimin e të dy nëpunësve civil nga puna.”, thuhet në vazhdim të njoftimit. /FolDrejt/