Kryeprokurori i provincës Loristan në Iran, Mohammad Rezm njoftoi se 120 persona u arrestuan për shkak të protestave që filluan pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua me arsyetimin se “nuk respektoi rregullat e hixhabit”.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, kryeprokurori i Loristanit, Rezm vizitoi familjen e rojës së sigurisë në Loristan, Farid Kerempur, i cili humbi jetën gjatë protestave në Teheran, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Rezmi në deklaratën e tij gjatë vizitës tha se në qytet për shkak të protestave të fundit janë ndaluar 120 persona, se ndaj këtyre personave ka shumë akuza dhe se do të marrin dënimet e parapara me ligj.
Me vazhdimin e ngjarjeve, forcat e sigurisë nisën një valë arrestimesh kundër protestuesve që morën pjesë në protesta dhe “rrezikonin sigurinë publike”, me urdhër të drejtësisë. Në kuadër të kësaj bëhet e ditur se në Gilan janë ndaluar 739 persona, në Mazenderan 450 persona dhe në Ilam 180 persona.
Sindikata e Studentëve të Universitetit të Teheranit njoftoi se të paktën 30 studentë janë arrestuar ndërsa Sindikata e Gazetarëve të Teheranit njoftoi se janë arrestuar 10 gazetarë.
Më tej thuhet se numri i përgjithshëm i të arrestuarve është mbi 2.000.
– Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua nga patrullat e Irshad-it, e njohur si “Policia e moralit” në Teheran, më 13 shtator, shkaktoi zemërim në vend.
Protestat, të cilat nisën pas funeralit të Aminit në vendlindjen e saj në Sakkez më 17 shtator, u përhapën në shumë qytete të vendit.
Televizioni shtetëror iranian njoftoi se 41 persona, përfshirë forcat e sigurisë, humbën jetën gjatë protestave./FolDrejt/