Numri i të vdekurve në Kharkiv, në Ukrainën verilindore, është rritur në 17 persona pasi bombardimet ruse goditën një numër ndërtesash banimi, sipas guvernatorit lokal Oleh Synehubov.
Përveç 10 personave që tashmë ishin shpallur të vdekur, ekipet e shpëtimit tani kanë nxjerrë edhe shtatë trupa të tjerë nga rrënojat, shkroi Synehubov në një mesazh në Telegram.
Mes të vdekurve ishte edhe një djalë i lindur në vitin 2009, shtoi ai.
Dyzet e dy persona u plagosën gjithashtu në sulmet me raketa, tha ai.
Sulmet goditën gjithashtu qytetin Krasnograd në rajonin e Kharkiv-it, ku një çift u vra dhe vajza e tyre 12-vjeçare u plagos rëndë, tha Synehubov./tch/