Numri i viktimave nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në fshatrat përreth kryeqytetit të Iranit Teheran është rritur në 18.
“Një person vdiq nga përmbytjet në fshatin Veskare, në lindje të Teheranit, dhe 14 automjete u zhytën në ujë”, tha Hasan Nami, kreu i Qendrës Kombëtare të Krizave, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Situata është më e rëndë në fshatin Merzdaran të Teheranit, ku gjashtë persona kanë humbur jetën deri më tani, dhe përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë”, shtoi ai.
Sipas Agjencisë Studentore Iraniane të Lajmeve (ISNA), Murtaza Muradipur, kreu i Organizatës së Ndihmës dhe Shpëtimit pranë Gjysmëhënës së Kuqe, ka njoftuar se “përveç gjashtë viktimave të mëparshme, dy trupa të tjerë u gjetën në fshatin Imamzadeh Davood në veriperëndim të Teheranit, ndërsa kërkimi për 19 persona të zhdukur është ende në vazhdim”.
“Shtatëqind njerëz në fshat u evakuuan”, ka shtuar Muradipur.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim njoftoi se tre persona u gjetën të vdekur në lumin Ken, në veriperëndim të Teheranit, që dyshohet se ishin njerëz të zhdukur nga përmbytjet në fshatin Imamzade Davood.
Shërbimi shtetëror i motit lëshoi një paralajmërim për më shumë shira të dendur të shtunën dhe të dielën dhe u bëri thirrje njerëzve të shmangin përrenjtë dhe shtretërit e lumenjve./FolDrejt/