Numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në Venezuelën veriqendrore është rritur në 50, njoftuan mediat lokale.
“Deri më tani kemi zyrtarisht 50 persona që për fat të keq humbën jetën dhe u janë dorëzuar të afërmve të tyre”, tha ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë Remigio Ceballos për kanalin televiziv shumështetëror TeleSur të enjten, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lumi El Pato, 64 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Karakas, u përmbyt, çau brigjet e tij dhe rrëmbeu disa shtëpi dhe dyqane në qytetin Las Tejerias të shtetit Aragua.
Më herët, presidenti Nicolos Maduro kishte thënë se numri i të vdekurve mund të arrijë në 100.
Disa pjesë të Venezuelës kanë pranuar reshje shiu mbi normale për shkak të fenomenit meteorologjik La Nina.
Në dy javët e fundit, 42 persona në vend kanë humbur jetën nga reshjet e dendura dhe fatkeqësitë e shkaktuara prej tyre.
Maduro gjithashtu shpalli tri ditë zie kombëtare në solidaritet me të prekurit nga fatkeqësia./FolDrejt/