Numri i të vdekurve në Sudan nga përleshjet e vazhdueshme midis ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ka arritur në 83, ndërsa numri i të plagosurve në 1.126, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), njofton AA, transmeton Fol Drejt.
OBSH-ja në një deklaratë u bëri thirrje palëve të respektojnë paanshmërinë në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe të garantojnë akses të pakufizuar në objektet e kujdesit shëndetësor për të plagosurit në konflikt.
Dy anëtarë të familjes së ministrit sudanez të Mineraleve Mohamed Bashir janë vrarë pasi raketa goditën shtëpinë e tyre në kryeqytetin Kartum gjatë përleshjeve.
Tre persona të tjerë janë plagosur, duke përfshirë dy truproja. Bashir ka shpëtuar i padëmtuar.
Të shtunën, godina e Ministrisë së Mineraleve ishte gjithashtu në shënjestër.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) thanë në një deklaratë se RSF-ja shënjestroi disa ndërtesa në selinë e ushtrisë në kryeqytet dhe kreu sulm me snajperë.
Duke u bërë thirrje anëtarëve të RSF-së që të bashkohen me ushtrinë për t’i shërbyer vendit të tyre, ushtria tha: “Ne e dimë se anëtarët e RSF-së që i kanë shërbyer vendit të tyre më parë janë larg të qenit një mjet që do t’u shërbejë qëllimeve dhe agjendës së një personi të vetëm. Vendi ka ende nevojë për mbështetjen tuaj”.
Situata do të zgjidhet së shpejti, shtoi ajo.
Një mosmarrëveshje midis ushtrisë dhe RSF-së në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake, e cila parashikon “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, shkaktoi rritje të tensioneve muajt e fundit.
Mosmarrëveshja midis dy palëve doli në sipërfaqe të enjten, kur ushtria tha se veprimet e fundit nga RSF-ja kanë ndodhur pa koordinim dhe ishin të paligjshme, ndërsa përçarja kishte të bënte rreth tranzicionit të propozuar drejt sundimit civil.
Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, hap ky i cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.
Periudha e tranzicionit në Sudan, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024./FolDrejt/