Numri i të vdekurve si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në Filipine ka shkuar në 98.
Autoritetet raportuan se 98 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që nga 27 tetori, dhe më shumë se gjysma e vdekjeve kanë ndodhur në qytetin Maguindanao, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dëmet e shkaktuara nga stuhia tropikale Nalgae arritën në përmasa serioze në Maguindanao, ndërsa 53 persona humbën jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në këtë qytet.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në fshatin Kusiong të Maguindanao-s, ku 80 deri në 100 persona besohet të jenë nën tokë.
Vullnetarët po mbështesin gjithashtu përpjekjet e shpëtimit, në të cilat marrin pjesë ushtria dhe policia.
Stuhia Nalgae preku afro 2 milionë njerëz dhe më shumë se 975.000 filipinas u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Më shumë se 100 fluturime u anuluan në Aeroportin Ndërkombëtar Ninoy Aquino të Manilës (NAIA) për shkak të motit të keq.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos, në fjalimin e tij të transmetuar në kanalet televizive, kishte shprehur trishtimin e tij për humbjet.
“Duhet të kishim bërë më mirë. Për shkak se nuk e kishim parashikuar që vëllimi i ujit të ishte kaq i madh, nuk mundëm t’i paralajmëronim njerëzit dhe pastaj t’i evakuonim përballë përmbytjeve që po afroheshin”, kishte thënë Marcos.
Në Filipine, ku ndodhin mesatarisht 20 stuhi dhe tajfune çdo vit, më shumë se 6 mijë njerëz humbën jetën dhe ndodhën shkatërrime të mëdha për shkak të tajfunit Haiyan në vitin 2013./FolDrejt/