Në një debat televiziv, shkrimtarja serbe Biljana Srbljanoviq, ia ka thënë në sy presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia duhet ta njohë. Por, Vuçiq tha se mendon që në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Në emisionin e televizionit serb “TV Prva”, ku po diskutoheshin tema të rendësishme për Serbinë, ishte i ftuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në pyetjen nëse Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkrimtarja Srbljanoviq tha se “Kosova është shtet i pavarur për 15 vjet, fqinji ynë me të cilin duhet të kemi marrëdhënie të mira. Serbia duhet ta njohë atë dhe shpresoj se gjithçka po shkon në atë drejtim”.
“Atj ka një numër të madh njerëzish të kombësisë sonë që duan të qëndrojnë atje. Janë të kota e gjithë pasuria dhe rrugët nëse jemi në një luftë rrëshqitëse me shqiptarët”, tha Srbljanoviq, transmeton Telegrafi.
Shkrimtares serbe presidenti Vuçiq iu përgjigj, duke thënë se me siguri i ka dëgjuar disa kandidatë të tjerë për president, kur mendon kështu.
“Unë nuk mendoj se ne duhet ta pranojmë apo njohim pavarësinë [e Kosovës] në asnjë mënyrë, por duhet të punojmë me shqiptarët nga Kosova për bashkëpunim të ndërsjellë. Por, kjo është e pamundur sepse pavarësia është gjithçka për të çfarë ata duan të flasin”, ka shtuar Vuçiq.
Ai tha se “Ballkani i Hapur është ideja më e mirë, është një mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe marrëdhëniet tona të këqija”