Shkumbin Gashi është shkrimtar nga Kosova i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Deri më tani ai ka botuar dy romane. Romani i parë titullohet “Anormopatia”, kurse romani i tij i dytë është “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”, me të cilin ai e fitoi Çmimin Rexhai Surroi për librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2020.
Intervistoi: Ardit MEHMETAJ
Si shumë shkrimtarë nga tradita jonë letrare, edhe juve ju ka ndjekur fati që të jetoni në mërgim. Jetoni më saktësisht në Zvicër që pesë vjet dhe ju ka rënë ta shihni shoqërinë zviceriane atje. Çka dallon shoqëria atje prej shoqërisë shqiptare? Nëse i krahasojmë në lexim të dy shoqëritë, ku jemi ne në raport me ta?
Nga ajo që kam parë unë, nuk kemi pse të ndihemi inferiorë kundrejt Zviceranëve, sa i përket kulturës së leximit. Këtë përshtypje kam unë. Para nja tre vitesh, pata lexuar se “një në tre Zviceranë, lexon të paktën një libër në muaj”. Nuk e di nëse në Kosovë është i njejti trend leximi, po po doli një statistikë që e konstaton këtë gjë, nuk do çuditesha. Mendoj se kultura e leximit në Kosovë është bërë shumë më e shëndetshme, sidomos në 4-5 vitet e fundit. Kur jam për vizitë në Prishtinë, e shkoj të furnizohem me titujt e ri, vërej se libraritë janë të mbushura nga njerëz, “në gjah” për librin e ri. Letërsia po fiton gjithnjë e më shumë terren. Për trendin pozitiv të kulturës së leximit, sigurisht që duhet falenderuar edhe botuesit vendas që, besoj unë, janë duke ofruar, gjithnjë e më shumë, zgjedhje për të gjitha shijet. Edhe për ata që lexojnë recetat e self-help, ata që lexojnë romanet e Colleen Hoover, ose të apasionuarit pas klasikëve. Ka për të gjithë. Sigurisht, nuk duhet të vetmjaftohemi, ka punë sa të duash para nesh, por përparim ka. Dallimi i vetëm që do e përmendja është se kam përshtypjen se në Zvicër lexuesi i qëndron besnik letërsisë vendore, dhe në vend të shkrimtarëve “bestseller ndërkombëtar”, lexon vendorët si Pedro Lens dhe Alex Kapus, ta zëmë. Nuk mund ta them të njejtën për Kosovën.
Si mund të na përshkruani me pak fjalë këtë ndjesi të krijuesit larg vendit të tij? Dhe sa mendoni që ky fakt (që një pjesë e madhe e letërsisë tonë është shkruar në mërgim) ka ndikuar që letërsia jonë të jetë, ta themi kushtimisht, më mallëngjyese, pra më ndryshe se letërsitë e tjera?
Besoj se të shkruarit është një ndër format më elegante, përmes së cilës, njeriu mban lidhjen me atdheun. Të shkruarit e krijon një ndjenjë të këndshme- që fare lehtë mund të jetë edhe iluzion-se njeriu është duke frymuar/jetuar në dy vende njëkohësisht. Ta zëmë, në Zvicër, dhe në Kosovë. Nëse do më duhej ta definoja si proces, do e quaja “klonim i mendjes.” Për pjesën e dytë të pyetjes, nuk kam një përgjigje dinjitoze. Për konkludime të tilla, kam bindjen unë, nevojitet një studim i mirfilltë. Çdo përgjigje sipërfaqësore, nuk do i bënte nder letërsisë tonë.
Në një botë dinamike e shumë të digjitalizuar si kjo e jona, sa vlerësohet statusi i shkrimtarit?
Shkrimtari vlerësohet nga raporti që ai/ajo ka zhvilluar me lexuesin/en. Kur e them këtë, mendoj thjesht, “sa kopje të x romanit ka shitur xy shkrimtari/ja?” Duket arbitrare, por ky është realiteti. Nuk është njësoj, si dikush që shet 10 kopje për tre vite, si dikush tjetër që shet gjithë tirazhin prej 1000 kopjeve për një vit. Është e kuptueshme që vëmendja dhe vlerësimi shkon te i dyti. E këtë muhabet nuk kemi pse e kapim me inate…sidomos ne shkrimtarët. Mos të keqkuptohemi, nuk po aludoj se dikush që nuk shet romane nuk ka vlera, por le të jemi të sinqertë, aty ka shumë nevojë për autokritikë dhe reflektim. Diçka nuk është duke ecur. Ja një ndërlidhje që më sillet në mendje tani. Njësoj si një kirurg zemre, me nam, që ka më së shumti pacientë, sepse ka vërtetuar se mund të shëroj zemrën, edhe një shkrimtar me nam, thith lexues për romanin e ri, sepse në të kaluarën ka ofruar romane të mira. Është matematikë elementare kjo. Andaj, edhe në një botë dinamike e të digjitalizuar si kjo, shkrimtari që krijon ura me lexuesin, vlerësohet jashtëzakonisht shumë.
Distanca hapësinore me Kosovën sa ju ka bërë të jeni indiferent ndaj zhvillimeve politike e kulturore në përgjithësi?
Mendoj se tash jam më i involvuar me këto zhvillime se kur jetoja në Kosovë. Ndoshta sepse nuk di ndryshe. Unë jam rritur në Kosovën, arenën politike të pasluftës. Bukë, kripë, korrupcion, politikë. Kjo është e tëra që mbushte ditën. Një klasë politike e etur për pushtet, e pa përgaditur për të, dhe ngulfatëse për popullatën. E tash kur jam në Zvicër, vazhdoj të përcjell me vëmendje po të njejtin llum politik, vetëm se tashmë me shumë rezerva emocionale. Bukë, kripë, djath zviceran, politikë. Unë kam pjesën më të madhe të familjes në Kosovë, kam miq, kujtime, dhe sigurisht që dua që vendi im të jetë ashtu si na është premtuar. Por edhe provoj që të bëj dicka për këtë gjë. Unë politikan nuk jam, por jam duke provuar vazhdimisht që përvojën profesionale dhe edukative që jam duke e fituar në Zvicër, ta sjell në Kosovë, të bashkëpunoj me universitetin e Prishtinës, me institucione tjera, e t`i jap dicka vendit tim. Shumë gjëra mund të ndryshojnë në mua, por asnjëherë interesimi im për Kosovën time.
Pse pikërisht çështja e emigracionit mori vëmendje për ju dhe u inkuadrua në romanet e juaja? Në një intervistë keni thënë se ideja për librin e migrantëve ju erdhi nga një ngjarje reale. A mund të na tregoni më shumë se çfarë ju motivoi saktësisht ta shkruani këtë libër?
Besoj se sikur jeta të më dërgonte në Amerikë, në vend se në Zvicër, gjërat do shkonin më ndryshe, sa i përket romanit tim të fundit. Dyshoj që do e shihte dritën e diellit. Kam bindjen se isha më i përgaditur të jetoja në Amerikë, për faktin e thjeshtë se e zotëroj gjuhën angleze. E nuk mund ta them të njejtën për gjuhën gjermane. Kur erdha në Zvicër pashë se pa e zotëruar gjuhën e vendasve, e kisha të vështirë të frymoja. E kuptova se do më duhet të mësoj gjuhën gjermane jo për të fituar një vend pune, por për të pasë mundësi të marr frymë. Të mbijetoj emocionalisht. Në fillimet e mia në Zvicër, kur kisha mësuar ca fjalë bazike të gjuhës gjermane, ishte frustrimi më i madh. Sepse e nisja një fjali, e nuk arrija ta dërgoja në fund. Më ngushtohej gjoksi, sikur vetura ime kishte rënë nga ura në deti, dhe po fundosej me mua. Andaj duhet të mësohesha të marr frymë. U regjistrova në kursin e gjuhës gjermane, e aty takova njerëz nga e gjithë bota. Të gjithë emigrantë, që po mësonin gjuhën gjermane. Mbaj mend se kisha filluar të shkruaja dicka tjetër, por me kohë më kishte humbur dëshira në të sepse gjithnjë e më shumë po interesohesha për jetët e kolegëve të kursit. Kur kisha fat, flisnim anglisht, e me dikë tjetër me gjermanishte të “harrnuar” , por i pyesja kolegët e mi , “nga je?”, “cka të solli në Zvicër?” e pyetje të tilla. Me cdo sesion kursi, kuptoja dicka më shumë. Dicka më të thellë. Ky proces po më ipte kënaqësi të jashtëzakonshme. Fillova të shkruaj, por jo për roman, thjesht për interesin tim. Kur kishin kaluar gjashtë muaj, ndodhi një ngjarje që pastaj e bëri të domosdoshme që ato shënimet që i mbaja për vete, t`i kthej në roman. Kur një aeroplan ushtarak kaloi mbi kokat tona, me shpejtësi të jashtëzakonshme, ishte një grua nga Siria që u fut përfundi bankës. Reagimi i saj traumatik, më preku shumë. Nuk do i harroj kurrë sytë e saj, pastaj kërkim faljen e saj, me zë të ulët. Njerëzit duhet të dëgjojnë për këtë që ndodhi sot, mendova unë, dhe fillova të punoj në romanin, “nënë, më fol për ëndërrimtarët.”
Në romanin “Nënë më fol për ëndërrimtarët”, kemi revoltë ndaj padrejtësisë, personazhet ikin prej autoktonisë në drejtim të një vendi ku drejtësia e barazia s’janë vetëm utopi. Si ishte Zvicra për ju kur shkuat?
Fillimi nuk ishte i lehte. Kjo siç e përmenda më lartë, edhe për shkak se Zvicra për mua, njësoj si për personazhin tim “Ibrahimin” ishte e panjohur. Edhe unë, si Ibrahimi, e njihja Zvicrën si tokën e bankave, qokolladës dhe djathit. Një mënyrë si mund ta përshkruaj rrugëtimin tim në Zvicër, ështe analogjia e viteve të para të njeriut, atëherë kur ështe foshnje. Në fillim foshnja parashutohet në këtë botë, e përgaditur nga natyra me ca instikte bazike për mbijetesë, e pastaj ditë pas dite, muaj pas muaji, jeta fillon të jetë më kuptimplotë. Foshnja hap sytë, qesh, lëshon tinguj, dikur ec në këmbët e veta… flet, e kështu, me kohë, krijon identitet. Edhe unë, së pari mësova gjuhen, kulturën vendase, gjeta punë, dhe tash po vazhdoj studimet e doktoraturës në psikologji klinike. Andaj, e ndjej vetën me fat që Zvicra më ka pranuar me krahë të hapur, siç e pranon familja, foshnjën e sapolindur. Mirëpo jam i vetëdijshëm se jo të gjithë e kanë këtë fat.
Si e përjetuat ndarjen e çmimit “Rexhai Suroi”, sidomos në ndikimin që e kishte në karrierën tuaj?
Ishte një befasi fort e këndshme. Në atë kohë, kur pandemia COVID-19 ishte ende e panjohur, dhe si rrjedhojë e frikshme, krejt çka kërkoja ishte që njerëzit që i njihja të mos e pësonim keq nga virusi. Të shpëtojmë të gjallë, e tjerat nuk kanë rëndësi. Mirëpo, kur u njoftova se kisha fituar çmimin “Rexhai Surroi”, në sytë e mi ishte një lloj fitore e vogël e njeriut kundrejt natyrës dënuese. Ishte një moment i bukur, i papritur, dhe më janë nevojitur disa ditë që ta kuptoja në të vërtetë vlerën e atij çmimi. Për mua si një shkrimtar të ri, çmimi Rexhai Surroi, ishte mundësia më e mirë për t`u prezantuar dinjitetshëm, për t`i hapur fuqishëm perdet e teatrit. Koha do e tregoj edhe më shumë vlerën e këtij çmimi, por për mua është një ndër ato “këmbanat” që e dëgjoj gjithmonë, kur kam nevojë për një vaksinë motivimi.
Nëse do të duhej të zgjedhje një autor shqiptar dhe një të huaj të cilët ju impresionojnë, cilët do të ishin ata?
Një autor i huaj, veprën dhe stilin e të cilit e admiroj, është shkrimtari Suedez, Fredrik Backman. Është briliant. Ai shkruan vepra për të cilat unë them, “pse nuk e kam shkruar unë këtë roman?” Në ndërkohë, prej shkrimtarëve vendas, do e dalloja Ernest Koliqin, sidomos prozën e tij te “Hija e Maleve” dhe “Tregtar flamujsh.” Ndër tjerash, Koliqi është standardi i artë i shkrimtarit. Origjinal, unik dhe penë që i njeh dhe u rri besnik armëve të veta.
A e shihni veten si krijues me një intensitet të tillë të punës edhe në të ardhmen dhe a mund të na shpalosni planet që i keni për të ardhmen afatshkurtër në aspektin letrar?
Sa të kem shpirt që frymon, e sy që shohin, do shkruaj. E kam kapelën e shkrimtarit fort për zemër. Unë tentoj të shkruaj sipas një ritmi të cilin jam duke e kultivuar tash e tre vite. Një orë në mëngjes, për katër ditë të javës, dhe një gjysmë dite në vikend. Do doja të kisha më shumë kohë për të shkruar, por nuk dua të vdes në mjerim, pa kujtime nga jeta. Jam duke punuar në romanin tim të ri, që besoj se do jetë në duart e lexuesit këtë vit, më së largu në dhjetor (nëse nuk mbaron bota, kuptohet). Jam në përfundim të tij. Në Republikën e Rosaves distopike, lindja e fëmijëve shpallet krim. Krim e shkuar krimit. Lorena dhe Majklli, vendosin të sfidojnë autoritetin e Republikës dhe të lindin fëmijën e tyre. Është Davidi dhe Goliati, sipas verzionit tim.
Për fund, cila do të ishte këshilla juaj për lexuesin tonë shqiptar dhe a mund t’i propozoni tri vepra të cilat ju kanë lënë mbresa?
Lexoni. Sidomos sot, kur bota është duke luajtur sipas planit të djallit, e jemi dëshmitarë të një lufte që eventualisht mund të kthehet në botërore. Këto 10 ditë kanë qenë shumë për shëndetin mendor, andaj mendja meriton pak përkdhelje. Meriton të trajtohet si një fëmijë i vogël, që shpërblehet me akullore pas vizitës te doktori. Meriton të zhytet në magjinë e një libri të mirë.
Më poshtë, po i propozoj edhe tre vepra që më kanë lënë përshtypje, këto muajt e parë, të vitit 2022.
- Anxious people nga Fredrik Backmann
- Të lirë nga Lea Ypi
- The promisse nga Damon Galgut/FolDrejt/