Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) ka pranuar një e-mail sqarues nga Zyra Ligjore e Kryeministrit sa u përket grevave të mbajtura gjatë fundvitit të kaluar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë (FSSHK).
Sipas interpretimit ligjor të kësaj zyre, thuhet se grevat u mbajtën jashtëligjshëm për arsye se ende është në fuqi vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetit publik.
Në lidhje me këtë, PRAK-u, javë më parë, kishte kërkuar sqarim. Megjithëkëtë, kreu i kësaj shoqate, Besim Kodra, thotë se qeveria duhet të marrë masa të tjera, sikurse që këtë çështje duhet ta dërgojë në gjykatë ngase qeveria dhe FSSHK-ja janë palë të përfshira.
I njëjti shton se nëse sindikata e mantelbardhëve grevon përsëri në këso rrethana ligjore, atëherë PRAK-u do ta dërgojë lëndën në prokurori, për shkak se pacientët janë ata që po pësojnë.
Klan Kosova ka kontaktuar kryesindikalistin e shëndetësisë, Blerim Syla, i cili ka thënë se ditëve në vijim do të deklarohet për ketë, derisa ka potencuar se nuk ka gjendje të jashtëzakonshme në vend.