Iniciativa e deputetes Doarsa Kica-Xhelili për t’iu ofruar strehim, hapësirë dhe kushte në Kosovë 20 gazetarëve nga Ukraina është përshëndetur nga institucione të ndryshme të medias në Evropë.
Kryetari i Unionit të gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko ka falënderuar Kosovën e deputeten Kica-Xhelili.
“Të dashur miq nga Kosova dhe Evropa! Faleminderit që kujdeseni për kolegët e mi të dashur ukrainas”, derisa deputetes Kica-Xhelili i ka thënë “je më e mira”.
Edhe Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë.
“Vendimi është në përputhje me qëndrimin e Kosovës për solidaritet me të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, dhe në frymën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Vendimi, me të cilin do të ndahen 150 mijë euro nga rezervat shtetërore, është iniciuar nga deputetja Doarsa Kica Xhelili dhe më pas është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, njofton Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) përmes një njoftimi.
Përzgjedhja e gazetarëve ukrainas që do të marrin këtë mbështetje nga Qeveria e Kosovës do të bëhet nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).
“Shuma e ndarë do të mbulojë koston e zhvendosjes, koston e qirasë së banimit dhe zyrës, një pagë mujore, sigurimin shëndetësorë për gjashtë muaj”, njofton ECPMF.
Pas vendimit, drejtori i ECPMF, Lutz Kinkel tha:” I jemi mirënjohës Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendimin e saj të shpejtë për të ofruar ndihmë në këtë drejtim. Ne e dimë vlerën e ndihmës së gazetarëve gjatë kohëve të krizës dhe mirëpresim mundësinë për të ofruar mbështetje të ngjashme për gazetarët dhe punonjësit e mediave nga Ukraina.”
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EJF) tha: “I shprehim mirënjohje atyre shteteve, siç është Kosova, që përkrahin kolegët tanë ukrainas. Kjo duhet të shërbejë si shembull për qeveritë e vendeve të tjera”.
Dear friends from #Kosovo and #Europe ! Thank you for taking care of my dear Ukrainian colleagues. You are the best: @ECPMF @EFJEUROPE and Doarsa Kica-Xhelili (Member of Parliament of Kosovo) @Molenews1 @mogensbb @YannisKotsifos https://t.co/FsPvLFXonY
— Sergiy Tomilenko (@Stommedia) March 1, 2022