I erdhi fundi grupit TROJA, pas performancës në tubimin e Vetëvendosjes.
Rok grupi kosovar Troja kanë lajmëruar se ata nuk do të vazhdojnë me aktivitete muzikore, duke u ndarë pas 30 vjetësh bashkë, kjo pasi ‘muret e Trojës janë përçarë’.
Në një postim zyrtar në profilin e grupit në Facebook, ata sqarojnë arsyet që kanë sjellë grupit deri tek ndarja, e duket se arsyeja kryesore, sipas tyre, është përfshirja e disa anëtarëve në politikë dhe ‘ahengje’ të organizuara nga partitë politike.
E ky ‘aheng’ që duket se po i referohet grupi duhet të jetë tubimi që Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur gjatë javës së kaluar, ku kishte performuar disa këngë të grupit pikërisht solisti i këtij grupi, Bujar Berisha.
Kështu, ndër grupet e pakta të rrokut në Kosovë, pas gati 30 vjetëve, e mbyll kapitullin e saj.
TROJA njihen për këngët e tyre që janë dëgjuar shumë në vendet shqipfolëse, e ndër ta edhe ‘Amaneti i Clownit’, ‘Mbretnesha Kohë’ e ‘Demokraci’./Gazeta Express/