Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella shpërndau parlamentin të enjten, me ç’rast u shkaktuan zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit, Mario Draghi më herët gjatë ditës.
Mattarella e quajti lëvizjen “të pashmangshme” pas trazirave politike, me të cilat u përball ekonomia e tretë më e madhe e Bashkimit Evropian gjatë 24 orëve të fundit.
“Situata politike që është përcaktuar ka çuar në këtë vendim. Diskutimi, votimi dhe mënyra se si u hodh ky votim dje në Senat, bëri të qartë humbjen e mbështetjes parlamentare për qeverinë dhe mungesën e perspektivës për formimin e një mazhorance të re. Kjo situatë bëri që dhoma të shpërbëhen para kohe.”, tha Mattarella në një fjalim të shkurtër nga Pallati i tij Quirinale në Romë, me ç’rast e falënderoi Draghin dhe ministrat e tij “për përpjekjet e tyre gjatë 18 muajve të fundit”.
Ai tha se zgjedhjet do të zhvillohen në 70 ditët e ardhshme, siç përcaktohet në kushtetutë.
Dorëheqja e Draghit erdhi pasi disa parti kyçe në koalicionin e tij — lëvizja e fuqishme 5 yje, partia më e madhe në qeverinë e koalicionit të vendit, Forza Italia e qendrës së djathtë dhe Liga e ekstremit të djathtë — bojkotuan një votëbesim ndaj qeverisë të mërkurën mbrëma, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Dorëheqja e liderit të qendrës erdhi pavarësisht nga popullariteti i tij në mesin e shumë njerëzve brenda vendit dhe mbështetjes nga liderët botërorë, të cilët e shohin atë si një zë të rëndësishëm evropian për t’i bërë ballë presidentit rus, Vladimir Putin dhe luftës së tij në Ukrainë./21Media