Haki Abazi ka shpërthyer në akuza kundrejt ekzekutivit dhe përgjithësisht, Lëvizjes Vetëvendosje. Në fjalimin e tij në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, ai ka nënvizuar një varg dështimesh e anomalish, të cilat kanë ndodhur dhe po ndodhin në mandatin e kësaj qeverie, shkruan Fol Drejt.
“Ju jeni të njëjtit që ia vazhdoni mandatin EULEX-it, të cilët vazhdojnë mi bastis shpijat e veteranëve të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat makina i ka rrotulluar dikur Lëvizja Vetëvendosje! Është ky kryeministër, është ky legjislacion që nënshkruan mandate, që vazhdon degradimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës. Do të thotë, është një listë e gjatë e gjërave që jo mesdheu, po as oqeani nuk e mbulon këtë punë…” – ka thënë Abazi duke u ndalur edhe në disa çështje të tjera edhe më konkrete:
“Pranimi i marrëveshjeve me pikën 7 edhe 10, që e përfshinë “Zajednicën”;
Refuzimi i kërkesës së amerikanëve për shtyrje për dhjetë muaj për targat, targat të cilat edhe sot përdoren, vazhdojnë me u përdorë edhe asnjë fjalë nuk ka për at punë të targave;
Asnjë rezultat të vetëm pozitiv për veriun e Kosovës, përveçse tension, edhe paraqitjen e Kosovës si vend të rrezikshëm për investime. Kaq e mençur është politika e sotshme, që e bënë Kosovën vend krize të mediat ndërkombëtare” – ka thënë Abazi.
Ai është ndalur edhe te “mafia e ndërtimit”, duke ia kujtuar ish partisë së tij se bënte shumë zhurmë për këtë:
“Vazhdim total i degradimit urban, dhe ngritjes së mafisë ndërtimore. Një prej çështjeve që është bërë shumë zhurmë nga Lëvizja Vetëvendosje!, se do ta ndalim mafinë ndërtimore” – duke shtuar se degradimi, zënia e dritës, pluhuri veç janë bërë pjesë të përditshmërisë, ndërsa qeveria aktuale, vetëm i ka legalizuar këto ndërtime.
Ai i ka përmendur edhe disa skandale, siç është ai i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së dhe akuza të tjera.
Që në krye të herës ai tha se, partia në pushtet me disa veprime, po mundohet ta largojë vëmendjen nga një skandal, ai me Radojqiqin. Edhe deputetët e tjerë opozitarë, nuk u treguan më të butë karshi anomalive qeverisëse. Debati, ndërkohë, po vijon me fjalët e deputetëve të tjerë opozitarë./FolDrejt/