Si pasojë e shpërthimit të një bombe artizanale në një shkollë pranë një manastiri ortodoks në Rusi, janë plagosur 12 persona, theksuan sot autoritetet ruse, transmeton Fol Drejt.
Ata theksuan se një ish-nxënës i shkollës, i cili është 18-vjeç, dyshohet se ka shpërthyer bombën. Aktualisht ndodhet në kujdes intensiv.
“Shpërthimi ndodhi në manastirin Vladychny në Serpukhov, 105 kilometra larg Moskës”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, shkruan AA.
Sipas raportimeve të mediave, motivi i mundshëm është urrejtja ndaj mësuesve dhe murgeshave.
Stafi i shkollës dhe nxënësit u evakuuan nga vendi i ngjarjes ndërsa Komiteti hetues i Rusisë ka hapur hetim për rastin.