Një shtëpi u shkatërrua dhe disa të tjera pësuan dëme të konsiderueshme pas një shpërthimi të dielën në mbrëmje në qytetin Birmingham të Britanisë së Madhe.
“Të gjitha shërbimet e urgjencës dhe ato publike janë në vendngjarje pas shpërthimit në shtëpi në Dulwich Road, Kingstanding të Birminghamit”, thuhet në deklaratën e Policisë së West Midlands, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Një shtëpi është shkatërruar dhe të tjerat janë dëmtuar ndjeshëm. Janë dëmtuar edhe automjetet”, tha policia.
Policia tha se ka “raportime për viktima, por numri dhe shkalla e lëndimeve të tyre nuk dihet për momentin”.
Njerëzit janë evakuuar nga zona dhe “shkaku i shpërthimit nuk dihet ende”, sipas deklaratës.
“Aktualisht kemi të bëjmë me një incident të rëndë në Dulwich Road në zonën Kingstanding të Birminghamit. Një numër i madh i ambulancave janë në vendngjarje së bashku me shërbimin zjarrfikës dhe policinë. Publikut i kërkohet të qëndrojë larg zonës për të na lejuar të punojmë”, shkroi në Twitter Shërbimi i Ambulancës West Midland./FolDrejt/