Ujësjellësi i vjetër 127-vjeçar nën Times Square të New Yorkut plasi herët në mëngjes, duke përmbytur rrugët e qendrës së qytetit dhe stacionin më të ngarkuar të metrosë në botë.
Gypi me diametër gjysmë metri shpërtheu nën Rrugën 40 dhe Avenynë 7 në orën 3 të mëngjesit, duke përkujtuar rreziqet e vjetrimit të infrastrukturës nën rrugët e mbushura me njerëz të qytetit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Rruga sipër u përmbyt pas shpërthimit të gypit të ujit ndërsa videot e publikuara në mediat sociale tregojnë ujin duke u derdhur në stacionin e metrosë Times Square poshtë shkallëve dhe përmes grilave të ventilimit. Si pasojë e rrjedhjes së ujit janë përmbytur edhe platformat e metrosë.
Për të zbuluar burimin e rrjedhjes shërbimeve kompetente iu deshën një orë për të ndaluar rrjedhjen e ujit. Gërmimi krijoi gropë të madhe në një kryqëzim të qytetit ku punëtorët gërmuan me pajisje të rënda për të arritur në pjesën e plasur të tubit.
Rrugët përreth ishin të hapura gjatë mëngjesit, por shërbimi i metrosë u pezullua përkohësisht në pjesën më të madhe të Manhatanit në linjat 1, 2 dhe 3, të cilat kalojnë drejtpërdrejt nën gypat e çarë.
Qyteti i New Yorkut ka rreth 10.900 kilometra tubacione uji. Gjatë tre viteve të fundit, qyteti ka shpenzuar 1.9 miliardë dollarë për përmirësimin dhe rehabilitimin e tubacioneve të vjetruara të ujit dhe kanalizimeve. Pothuajse çdo ditë në qytet ndodhin ndërprerje të furnizimit me ujë./FolDrejt/