Greqia protestoi ndaj Serbisë dhe Ukrainës për mos informimin në kohë në lidhje me ngarkesën e municioneve në bordin e një avioni ukrainas i cili u rrëzua pranë qytetit verior të Kavalas të shtunën në mbrëmje, thanë burimet diplomatike greke të hënën.
Më herët, piloti kishte njoftuar për probleme me motorin dhe iu dha leja për një ulje emergjente në Kavala, por sinjali i avionit humbi menjëherë pas telefonatës.
Ministria e jashtme greke ka paraqitur një ankesë tek ambasadori i Ukrainës në Athinë duke thënë se Greqia duhej të ishte njoftuar paraprakisht nga Ukraina në lidhje me natyrën e ngarkesës së avionit, tha një burim diplomatik grek.
Burimet diplomatike greke thanë më herët të hënën se Greqia gjithashtu do të protestonte ndaj Serbisë për të njëjtën arsye.
Ministria e jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Ministri i mbrojtjes i Serbisë Nebojsha Stefanoviç tha të dielën në mëngjes se paisjet ushtarake në avion ishin prodhuar nga industria e mbrojtjes e Serbisë dhe se blerësi i ngarkesës ishte Bangladeshi.
Autoritetet greke bllokuan zonën të shtunën dhe më pas ndaluan banorët të afroheshin dhe i këshilluan t’i mbanin dyert dhe dritaret mbyllur, ndërsa zjarrfikësit dhe njësia speciale e reagimit të shpejtë ndaj fatkeqësive po hetonin zonën./tch/