Shpërthimi i fuqishëm në një bllok pallatesh në Athinë, që la pas pasoja “lufte”, mund të jetë shkaktuar nga rrjedhja e gazit nga një bombol që ndodhej në banesën e një 78-vjeçari.
Mediat në vend raportojnë se vala goditëse e shpërthimit më pas shkaktoi rrjedhje të furnizimit me gaz mes dy pallateve të tjera. Në dëshminë e tij, 78-vjeçari është shprehur se kishte nuhatur një erë të fortë gazi në banesë por nuk i kushtoi vëmendje.
Siç tha ai, ajo që nuk mban mend është nëse shpërthimi është shkaktuar nga shkëndija që është shkaktuar nga hapja e çelësit të dritës apo më vonë kur ka ndezur një cigare. Policia në banesën e tij gjeti një revole të ndryshkur, një pistoletë, një karikator, më shumë se 1000 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
I moshuari pretendon se është pjesëtar i grupeve të qitjes dhe për këtë arsye pajisjet “ushtarake” i ka në shtëpinë e tij. Në çdo rast, Departamenti Hetimor i Zjarrfikësve, duke vlerësuar të dhënat e deritanishme, përjashton mundësinë e një akti terrorist .
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm për fat të mirë nuk pati viktima. Vetëm dy persona morën plagë të rënda dhe një grua u lëndua lehtë. Dëmet materiale janë të shumta. Tregues i fatkeqësisë është fakti se shpërthimi ka thyer xhamat dhe ka shkaktuar dëme në një rreze prej 200 metrash. /abcnews.al/