Një shpërthim i fuqishëm tronditi zonën e ish bllokut ne kryeqytet mesditën e së hënës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13 e 15 minuta në rrugën Pashko Vasa dhe fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një shpërthim tritoli.
E gjithë zona u mbulua nga retë e tymit ndërsa paniku zgjati deri sa u mësua se bëhej fjalë për shpërthimin e një bombole hidrogjeni në një dyqan argjendarie.
Shpërthimi ndodhi në pjesën e bodrumit të dyqanit të bizhuve, ku kryheshin punime me hidrogjen për përpunimin e floririt dhe të argjendit.
Për pasojë të plagosur mbetën 5 persona.
Pronari i argjendarisë dhe bashkëshortja e tij, Sokol dhe Alma Pira u dërguan në spital në gjendje të rëndë shëndetësore me djegie në të gjithë sipërfaqen e trupit.
E lenduar mbeti edhe punonjësja 18 vjecare e argjendarisë Eneda Nura si dhe dy te rinj që po kalonin aty prane ne momentin e shpërthimit.
Krahas të lënduarve shpërthimi la pas dëme te konsiderueshme materiale edhe tek 4 biznese të tjera pranë argjendarisë përfshirë edhe disa automjete që ishin të parkuara.
Nga hetimet e para rezulton se shperthimi mund të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit dhe pakujdesisë.