Kompania lituaneze e transmetimit të gazit, Amber Grid, njoftoi se një tubacion gazi që lidh Lituaninë dhe Letoninë u godit nga një shpërthim.
Kompania përmes një kumtese njoftoi se shpërthimi ndodhi në qarkun verior Pasvalys dhe i njëjti nuk shkaktoi dëme materiale apo viktima, duke shtuar se zjarri është vënë nën kontroll nga brigadat e zjarrfikësve që mbërritën menjëherë në vendngjarje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sistemi i transmetimit të gazit në zonë përbëhet nga dy tubacione paralele dhe sipas informacioneve fillestare, shpërthimi ka ndodhur në njërin prej tyre, thuhet në njoftim, duke theksuar se gazsjellësi tjetër nuk është dëmtuar.
“Furnizimi me gaz përmes tubacionit të dëmtuar u ndërpre menjëherë, por konsumatorët e qarkut Pasvalys tashmë po furnizohen me gaz përmes tubacionit paralel”, thuhet në deklaratë.
Gazsjellësi ku shpërtheu zjarri përdoret për furnizimin me gaz në pjesën veriore të Lituanisë dhe për transportimin e gazit në Letoni.
“Shprehim keqardhje për këtë incident. Menjëherë filluam të hetojmë rrethanat e incidentit dhe të sigurojmë furnizimin me gaz për konsumatorët”, tha Nemunas Biknius, shefi ekzekutiv i kompanisë, duke shtuar: “Për momentin të gjitha përpjekjet tona dhe të shërbimeve përgjegjëse janë fokusuar në frenimin e pasojave të zjarrit dhe garantimin e sigurisë”./FolDrejt/