Sipas Anadolu Agency, shefi i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, ka pretenduar përgjegjësinë për shpërthimin në një terren stërvitor rus në Krime, një territor nën kontrollin rus që nga viti 2014, transmeton Fol Drjet.
“Kreu i inteligjencës Budanov tha se shpërthimi i një depoje municionesh në Krime është rezultat i operacionit të GUR-it (Drejtoria e Inteligjencës) dhe AFU-t (Forcat e Armatosura të Ukrainës)”, raportoi e përditshmja ukrainase ‘Strana’.
Guvernatori i Krimesë, Sergey Aksyonov, tha se një zjarr shpërtheu mbrëmë në një terren stërvitor ushtarak në lindje të gadishullit të Krimesë.
Ai tha se zjarri nuk shkaktoi viktima, megjithatë rruga kryesore, respektivisht autostrada Tavrida, u mbyll për qarkullim dhe mbi 2.200 njerëz nga katër vendbanime janë duke u evakuuar.
Autostrada Tavrida lidh gjithë gadishullin e Krimesë dhe është një linjë kryesore trafiku.
Sipas zyrtarëve rusë, kjo vjen pasi dy persona u vranë dhe një fëmijë u plagos rëndë në një shpërthim të hënën herët në Urën e Kerçit, që lidh gadishullin e Krimesë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi Ukrainën se qëndron pas sulmit.
Autoritetet ukrainase as nuk i konfirmuan dhe as nuk i mohuan pretendimet e Rusisë./FolDrejt/