Papa Françesku bëri thirrje të mërkurën për “hapa konkretë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të shmangur rrezikun e një fatkeqësie bërthamore në termocentralin Zaporizhzhia.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së tha të martën se do të vizitojë uzinën e pushtuar nga Rusia në Ukrainë brenda disa ditësh nëse bisedimet për të pasur akses kanë sukses, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën se kanë qëlluar mbi objektin, më i madhi i këtij lloji në Evropë dhe të cilin forcat pro-Moskës e morën në dorë menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje që zona të çmilitarizohet.
“Shpresoj se do të ndërmerren hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës dhe për të shmangur rrezikun e një fatkeqësie bërthamore në Zaporizhzhia,” tha Françesku në audiencën e tij të përgjithshme javore.
Duke folur në ditën kur Ukraina shënon pavarësinë e saj nga sundimi sovjetik në 1991 dhe gjashtë muaj pasi forcat ruse pushtuan, ai i quajti luftërat si “çmenduri” dhe iu referua vdekjes së Darya Dugina, vajzës së një ultra-nacionalisti të shquar rus, në një shpërthim afër Moskës të shtunën.
“Të pafajshmit paguajnë për luftën, të pafajshmit,” tha ai.
Moska fajësoi për vrasjen agjentët ukrainas, një akuzë që Kievi e mohon.
Françesku njëherësh i quajti tregtarët e armëve që përfitojnë nga lufta si “delikuentë që vrasin njerëzimin”.