Miroslav Lajçak ka reflektuar pas bisedimeve maratonike që i zhvilloi mbrëmë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, shkruan Fol Drejt.
I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se shpreson që janë në rrugën e duhur, duke dhënë një fije shprese se mund të arrihet diçka.
“Pas një rundi të dytë diskutimesh mbrëmë vonë, shpresoj që jemi në rrugën e duhur. E vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit serb për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak.
“Patëm një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin e Serbisë. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet në dialogut duhet të zbatohen, përfshirë edhe marrëveshjen e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, ka vijuar ai.
Pas takimit me Vuçiçin, Escobar ka deklaruar se takimi ka qenë “i vështirë dhe i gjatë”.
“Ne vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet”, tha Escobar.
Se bisedimet kanë qenë të vështira, e ka pranuar edhe vetë Vuçiq, ai ka shkruar në Instagram se:
“Kemi pasur biseda të vështira me Lajçakun dhe Escobarin. Aty ishin edhe ambasadorë të ShBA-ve dhe ai i BE-së. Vazhdojmë sonte me bisedime pas orës 22:00.”
Ai e ka përsëritur formulën se gjithmonë do të përpiqet për paqe e stabilitet “pa u larguar nga interesat jetike.”/FolDrejt/