Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu vizituan sot investimin më të ri që është vënë në funksion, Pediatria e Re e QSUT.
Gjatë vizitës në ambientet e Pediatrisë, ministrja Manastirliu tha se “me ministrin Latifi vendosëm që përveç takimit bilateral të kemi edhe një vizitë në QSUT, në spitalin e sapopërfunduar të Pediatrisë ku janë tre shërbime kryesore: urgjenca, reanimacioni dhe kirurgjia infantile”.
Ministri Latifi dhe ministrja Manastirliu u shprehën se do të forcojnë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fushën e shëndetësisë, për të bërë më të mirën për shëndetin e qytetarëve tanë.
Pediatria e re, një investim i qeverisë shqiptare i standardeve evropiane, u përurua në 6 janar të këtij viti dhe do t’i shërbejë mbi 130 mijë fëmijëve në vit.