Numri i të vaksinuarve në Shqipëri ka arritur shifrën 172 486, ndërsa sot u mbyll dita e gjashtë e vaksinimit masiv.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha ditën e sotme se vendi po ndjek planin e vaksinimit të kombinuar.
“Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”, njoftoi Manastirliu.
Prej gjashtë ditësh tashmë, në vend vijon vaksinimi masiv ndërsa në sheshin “Skënderbej” janë ngritur dy çadra ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 75-vjeç me vaksinën kineze “Sinovac”.
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka njoftuar se brenda muajit prill në vendin tonë do të vijnë edhe 23 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer.
“Brenda javëve të prillit edhe 23 mijë doza të tjera Pfizer”, shkruan kryeministri përmes një postimi në rrjete sociale.