Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna e 13 shkurtit të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, shkruan Fol Drejt.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”, shkroi Rama në Facebook.
Kryeministri shtoi se ulja e flamurit kombëtar në gjysmështizë dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë. /FolDrejt/