Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se përgatitjet e procesit zgjedhor për ditën e nesërme kanë ecur pa pengesa.
Një numër vëzhguesish nga ODIHR, asambleja parlamentare e OSBE-së dhe Këshilli i Europës, së bashku me grupe nga ambasada të ndryshme, do të ndjekin nga afër ecurinë në ditën e votimit.
Janë gati 3 milion e 600 mijë shqiptarë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjen e parlamentit të ri të vendit.
Për herë të parë një sistem i identifikimit biometrik, përmes pajisjeve të veçanta do të zbatohet në gati 5 mijë e 200 qendrat e votimit në të gjithë vendin.
Sot është heshtje zgjedhore dhe kur ndajnë vetëm pak orë nga nisja e votimit, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi tha se përgatitjet e procesit zgjedhor kanë ecur pa problem dhe nuk ka asnjë arsye që nesër të gjitha qendrat e votimit të jenë plotësisht gati, duke nisur nga ora 7 e mëngjesit.
Në këto zgjedhje, përvec partisë, qytetarët do të mund të zgjedhin edhe kandidatin e tyre të pëlqyer.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca në një mesazh të tijin një ditë më parë theksoi se nga mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe respektimi i rezultatit të tyre do të varet ecuria e vendit në procesin e integrimit europian.
Nga Shtetet e Bashkuara, drejtuesit e Komisionit të Jashtëm si në Senat ashtu dhe në Dhomën e Përfaqësuesve nxitën autoritetet shqiptare të garantojnë, që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre “të lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna” duke u shprehur se presin “që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike”.