Shqipëria do të mbajë nesër zgjedhje parlamentare. E një ditë para, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë qëndroi për vizitë një delegacion i KQZ-së nga Kosova në krye me kryetaren Valdete Daka.
Pas takimit komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se nga delegacioni kosovar u njoftuan mbi procesin zgjedhor të 14 shkurtit, nga të cilat synojnë të marrin përvojat.
“Patëm sot mysafirë shumë të dashur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, delegacionin e komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve të Kosovës. Diskutuam së bashku mbi procesin zgjedhor në tërësi dhe me problematikat e këtyre proceseve kryesisht në Shqipëri por dhe për të gjitha ato informacione që lidhen me suksesin e procesit zgjedhor në Kosovë, të cilën dua ta them që është një rast shumë i mirë për ne KQZ-në e Shqipërisë, që të ndanim eksperiencën shumë pozitive të mirë, të procesit zgjedhor në Kosovë. Jemi vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve në Shqipëri dhe shpresojmë që prania e kolegëve tanë të Kosovës të jetë një gur i mirë për suksesin e këtyre zgjedhjeve, të paktën të marrim diçka nga suksesi i zgjedhjeve të Kosovës”, tha ai.
E kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se po qëndrojnë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të marrin përvojat nga reforma zgjedhore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpreson se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të së dielës të shpallen brenda 48 orëve, ndërsa ato për kandidatë tha se do të marrin më shumë kohë.