Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, raporton Anadolu, përcjell Fol Drejt.
Pas diskutimeve të deputetëve më seancën parlamentare, projektligji është miratuar me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Ligji në fjalë ka për qëllim rregullimin dhe garantimin e procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kultivimit, përpunimit, prodhimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Gjatë fjalës në seancë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha se ky projektligj është një nismë e përbashkët e tre ministrive, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Brendshme.
Manastirliu theksoi se kanë kryer një analizë të thellë të eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare lidhur me kontrollimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
“Kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore krijon mundësi ekonomike të rëndësishme. Nga ana tjetër ka një efekt po aq të rëndësishëm sa i përket trajtimeve për qëllime mjekësore që ka kanabisi. Sigurisht që ka një seri vendesh që kanë legjislacion të konsoliduar dhe një praktikë të konsoliduar sa i përket kontrollit të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale”, tha Manastirliu.
Sipas autoriteteve shqiptare, ligji synon të rrisë aktivitetin ekonomik në Shqipëri, duke lejuar, përmes rregullave të posaçme, veprimtarinë ekonomike të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor dhe industrial, me qëllim prodhimin e nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të tij, të cilat do të përdoren për eksport.
Kuvendi miratoi edhe Projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë”, i cili u kundërshtua nga studentët e mjekësisë.