Në Shqipëri mëngjesin e sotëm ka nisur procesi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit. Imunizimi i qytetarëve po zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.
Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një çadër të madhe në qendër të kryeqytetit për të mundësuar vaksinimin e të moshuarve me vaksinën ndaj Covid-19.
Gjatë ditës së sotme do të vaksinohen të moshuarit mbi 75 vjeç, të cilët do të marrin dozën e vaksinës kineze të Sinovac. Ata janë njoftuar nga mjeku i familjes në bazë të rendit alfabetik.
Procesi i vaksinimit do të vijojë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilat po ashtu janë furnizuar gjatë ditëve të fundit me këtë vaksinë.
Në një komunikim me mediat mbrëmjen e kaluar ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu u shpreh se synohet që të vaksinohen mbi 10 mijë persona në ditë.