fbpx
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të favorshme në Europë për prodhimin e energjisë solare

Lexoni edhe..

Shqipëria vlerësohet nga ekspertët si një nga vendet më të favorshme në Europë për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore.

Por vendi aktualisht prodhon rreth 1% të energjisë nga dielli, ndërsa pjesa tjetër e nevojave sigurohet nga hidrocentralet dhe importi.

Ndërtimi i parqeve fotovoltaike ka ecur me ngadalësi, ndonëse janë dhënë nga qeveria disa leje, kryesisht në zonën e Fierit, Lushnjës e Vlorës, ndërkohë që ky sektor po përballet me mjaft sfida.

Në Topojë të Fierit është realizuar një nga projektet e para për prodhimin e energjisë nga panelet diellore në Shqipëri.

Parku fotovolatik i Topojës me një fuqi 10 Megavat të instaluar, ndërtuar afër bregdetit të Semanit, në një sipërfaqe rreth 15 ha është tashmë në prodhim në vitin e katërt, thotë për Zërin e Amerikës Sadik Llapashtica, koordinator i këtij projekti.

“Ne e kemi filluar aktivitetin në vitin 2015 , në atë vit nuk kishte fare eksperienca në fushën e industrisë fotovoltaike, ndonëse Shqipëria shquhet për rrezatim të lartë diellor nga pozicioni gjeografik. Pas studimeve dhe konsultimeve me kompani të huaja, me ndihmën e sistemit bankar në Shqipëri dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e përfunduam projektin në Dhjetor të Vitit 2018 dhe prodhimi i energjisë në këto vite ka qenë në formatin e parashikuar”, thotë zoti Llapashtica.

Për 15 vitet e para, Parku Fotovolatik ka detyrimin ta shesë energjinë për 100 euro /MW tek kompania shtetërore e shpërndarjes (OSHEE).

Zoti Llapashtica thotë më tej se se sektori i prodhimit të energjisë diellore po njeh një trend në rritje të gjithë botën.

“Aq më tepër që sot jemi në kushtet e luftës në Europë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kanë ndryshuar tregjet e gazit të naftës dhe burimet e energjisë janë duke u diversifikuar jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shkak të ruajtjes së ambientit”, thotë ai.

Anduel Çekrezi një ekspert në fushën e enegjisë thotë se Shqipëria është vendi më i favorizuar në rajon për prodhimin e energjisë diellore.

“Pozicioni gjeografik i Shqipërisë për sa i përket rrezatimit diellor llogaritet 20-30% më mirë se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia , Kosova apo mos themi më tej vendet e ftohta europiane. Kemi një potencial shumë të madh për të zhvilluar këtë lloj teknologjie të prodhimit të energjisë që për hir të së vërtetës nuk është në ato nivele që duhet të ishte”, thotë zoti Çekrezi.

Sipas tij sektori i energjisë diellore duhet liberalizuar duke u thjeshtuar dhe duke u shmangur procedurat burokratike nisur edhe nga kushtet e reja të krizës mbarëbotërore energjitike.

“Sfida më e madhe është demokratizmi i sistemit, liberalizimi i këtij sektori për ta bërë më të thjeshtë që gjithësejcilin që mund të investojë apo do të investojë për prodhimin e energjisë elektrike. Ka dy segmente, për ata që duan të prodhojnë për një treg të lirë dhe për ata që duan të prodhojnë me tarifë shtetërore. Nëse duhet të përfshihemi si vendet e tjera duhet të ketë një tarifë blerjeje të energjisë nga shteti si për prodhuesit e vegjël edhe ata me tarifë shtetërore. Kjo jep një potencial të madh zhvillimi, siç ka ndodhur me disa projekte të zhvilluara në zonën e Fierit”, thotë ai.

Një aspekt tjetër që duhet rregulluar thotë zoti Çekrezi është segementi i vetëprodhimit.

“Aktualisht skema e blerjes së energjisë është me matje mujore dhe nëse një prodhues ka mbiprodhim pas një muaji energjia humbet në rrjet pasi ende nuk është përcaktuar nga autoriteti shtetëror “çmimi i tepricës” së energjisë. “Ministria e Energjisë duhet të nxjerrë çmimin e tepricës”, pasi ky detyrim është përcaktuar në ligj dhe në udhëzim, por ka mbetur në letër sepse nuk ka shkuar në Entin Rregullator të Energjisë”. Duket se çmimet për të vendosur për koncesionet shkojnë shumë më shpejt se përcaktimi i çmimit për blerjen e tepricës së energjisë”, thotë zoti Çekrezi.

Ministria e Energjisë ka pohuar se ka ngritur një grup pune për këtë çështje dhe brenda viti 2022 pritet të caktohet çmimi që sheti do ta blejë energjinë nga prodhuesit e vegjël të paneleve diellore.

Qeveria shqiptare ka miratuar dy-tre viteve të fundit disa parqe të mëdha të prodhimit të energjisë diellore në disa zona të vendit por kryesisht në Fier, Vlorë dhe Lushnjë. Kompania franceze “Voltalia as” u shpall fituese e ankandit ndërkombëtar për parkun më të madh fotovoltaik atë të Karavastasë dy vite më parë dhe në mars të 2021 edhe për parkun fotovoltaik të Spitallës në Durrës.

Sipas projektit “Parku fotovoltaik i Karavastasë” do të ndërtohet në një zonë prej 198 hektarësh ku pritet të instalohen impiante fotovoltaikë me fuqi prej 140 megavatësh, në vlerën e investimit mbi 100 milonë dollarë.

Si zoti Llapashtica dhe zoti Çekrezi thonë se zhvillimi i këtij sektori në Shqipëri nga njëra anë duhet të shfrytëzojë potencialin e madh, por duhet të marrë parasysh shfrytëzimin e dyfishtë të tokës bujqësore.

“Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes me zonat ku do ti zhvillojë këto projekte. Të bëjmë kujdes me ruajtjen e ambientit dhe ta zhvillojmë këtë sektor që është trendi i boltës në zona sa më e mundur të jenë larg qendrave të banuara. Arsye tjetër që duhet të bëjmë kujdes , është që këtë lloj industrie po të kemi mundësi ta zhvillojmë në toka bujqësore, por paralel me bujqësinë që do të thotë poshtë paneleve të kultivojmë pemë ose perime ose grurë e miser çfarë kultivohet. Do ishte dëm sipas mendimit tim, por edhe sipas ekspertëve ndërkombëtarë, që në tokat bujqësor të zhvillohen vetëm panele” thotë zoti Llapashtica.

Ndërsa zoti Çekrezi thotë se është shumë e rëndësishme pjesa e integrimit të këtyre parqeve në formën e përdorimit të dyfishtë të tokës.

“Është një teknologji për panelet diellore që përdoret në bujqësi, me të cilën mund ti ngresh në lartësi dhe krahas përftimit të energjisë të sigurohet edhe kultivimi i frutave apo perimeve”, thotë ai.

Krahas sipërmarjeve të interesuara për të investuar në prodhimin e energjisë me panele diellore edhe organizatat mjedisore në Shqipëri janë përfshirë në nxitjen e këtij sektori.

Olsi Nika i organizatës “EcoAlbania” thotë se krahas një studimi të organizatave mjedisore dhe ndërgjegjësimit të publikut që orientohen drejt energjisë së ripërtërishme ka pasur edhe projekte të vogla konkrete të instalimit të paneleve diellore.

“Kemi instaluar panele fotovaltike në çatitë e ndërtesave publike që prodhojnë energji në fshatin Kutë të Mallakastrës. Janë mjaftueshëm jo vetëm për energjinë që konsumojnë këto ndërtesa publike si kopshtet, shkolla, njësia e qeverisjes vendore apo e shëndetit publik, por që bëjnë të mundur edhe ndriçimin e gjitha rrugëve dhe rrugicave të fshatit. Është një nga modelet e mira të qëndrueshme që ne ia kemi ofruar komunitetit të Kutës jo vetëm si një mënyrë e përfitimit të energjisë, por edhe si një mesazh i qartë që banorët e këtij fshati donin ti jepnin qeverisë në përpjekjet e tyre të vazhdueshme në kundërshtimin e Hidrocentralit të Poçemit që do të përmbytë tokat dhe shtëpitë e tyre”, thotë ai.

Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2021 në Shqipëri ishin në prodhim 11 centrale të vogla fotovoltaike, ndërsa nuk u vu në punë asnjë central i ri fotovoltaik.

Raporti pohon se gjatë vitit 2021 në Shqipëri 5 parqe fotovoltaike dhe 6 parqe për prodhimin e energjisë nga era morën miratim për lidhje me sistemin energjisë, ndërsa 6 parqe të tjera fotovoltaike morën opinion paraprak për lidhje me këtë sistem.

Por vitin e shkuar vetëm dy centrale fotovoltaike, Parku i Karavastasë dhe impianti në digën e Hidrocentralit të Vaut të Dejës janë në ndërtim e sipër, ndërsa të tjerat në procedura përgatitore./VOA

 

Të ngjajshme