Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur se mosuniteti i politikës në këtë anë ka bërë që shqiptarët të mbesin pa asnjë deputet në Kuvendin e Serbisë.
Për krejt këtë dështim ai po e akuzon Shaip Kamberin, deputetin e deritanishëm në Beograd.
“Për shkak të Kamberit nuk kemi sivjet asnjë mandat, sepse ai është ndarë në listë më vete dhe ka sjell dështimin. Nga 26 mijë votues sa ishin në vitin 2020 pas Marrëveshjes së Tiranës, në zgjedhjet e fundit kanë votuar 12 mijë shqiptarë. Pra qytetarët janë dëshpëruar”.
“Kemi negociuar pesë javë që ta shmangim këtë situatë. Matematikisht kemi mundur t’i kemi 4 mandate. Përçarja ka ardh për shkakun e egos së Kamberit i cili na mori në qafë të gjithëve”.
Arifi ka theksuar se Kamberi ka bërë gabim historik duke garuar me listë të ndarë.
“Pasivizimi është problem humanitar dhe pastaj politik. 6,000 – 10,000 shqiptarë janë të pasivizuar, nuk kanë të drejtë vote. Kamberi e tradhtoi Marrëveshjen e Tiranës e cila në të kaluarën ka sjellë sukses”.