Është shkruar shpesh për emigrimet e shqiptarëve në mesjetë dhe gjatë Perandorisë Osmane, kryesisht në Greqi, Itali dhe së fundi edhe në Ukrainë, por në fakt ka pasur edhe qindra shqiptarëve të cilët kanë emigruar edhe në një vend tjetër europian: Hungari.
Historia e emigrimit shqiptar në Hungari
Gjatë 1690, kryepeshkopi i Patriakanës së Pejës, Arseni, u nis nga Peja me disa mijëra familje, më të shumtat serbe, por në mes tyre ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh nga fisi Kelmend. Për këtë do shkruante edhe Midhat Frashëri në 1912-1913, vite kur ai do vizitonte gati gjithë trojet shqiptare në veçanti Dukagjinin. Ai vëren se edhepse ata kishin emigruar në shekullin e 17-të, ata edhe në fillim të shekullit të 20-të do flisnin gjuhën shqipe, veçanërisht në dy fshatra.
Shqiptarët e larguar “shkuan në Hungari, ku qeveria e Austrisë u fali toka dhe formuan katunde të rinj, këta janë edhe sot atje dhe midis atyre katundeve, dy flasin akoma shqip: Nikince dhe Hitkovicë. Patriku Arsen ishte shtrënguar në këtë eksod nga shkaku se në luftën austro-turke të atëhershme, i kishte premtuar Austrisë ndihmë prej serbëve dhe shqiptarëve, ndihmë që nuk e dha dot, se shqiptarët nuk e dëgjonin fare dhe shqehtë s’kishin dëshirë për të luftuar; kjo luftë s’doli fitimtare për Austrinë dhe patriku me një pjesë të besnikëve të tij mori udhën e mërgimit,” shkruan Frashëri, informon foldrejt.com.
Por në fund Frashëri thekson se në kohën kur në jug të Hungarisë lulëzon ndjenja kombëtare e kolonizatorëve serb, kjo nuk ndodh edhe me shqiptarët.
Vallë, a mund të flitet akoma shqip në këto fshatra?/Foldrejt.com
Vërejtje: Ky shkrim është përpiluar me ndihmë të Veprës 4 të Mid’hat Frashërit.