Seria televizive “Rrushja”, prodhim kosovar, së fundmi ka filluar të emetohet edhe në kanalin televiziv “Top Channel”, shkruan Fol Drejt.
Por një valë reagimesh të nxitura nga një veprim që po cilësohet si i çuditshëm, kanë pushtuar rrjetet sociale.
Ndonëse në serinë e zhanrit dramë/ krim, aktorët janë shqiptarë dhe luajnë role shqiptarësh, pra flasin shqip, “Top Channel” e ka përkthyer gjuhën e tyre, duke e subtitëruar nga shqipja në shqip.
“Rrushja” është prodhim i Gjirafastudio, me regji nga Valter Lucaj; producent – Doresa Rexha; Skenar – Jeton Kulinxha & Patrik Lekaj; drejtor fotografie Burim Tufa etj, trajton temën duke e shtrirë në kontekstin kohor aktual, por edhe në fundvitet e 90-ta.
Shkurt bëhet fjalë për një seri “me familjen Pirulli si protagonistë kryesorë. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë”, por që me gjasë, tingëllon i pakuptimtë për “shqiptarët e Top Channel”.
Ndërkohë, komentet për këtë veprim të Top Channel, kanë pushtuar hapësirat virtuale:
Ua kujtojmë se përkundër këtij veprimi dhe reagimeve të shumta, nga ana e Top Channel, nuk ka pasur ndonjë deklarim./FolDrejt/