Tashmë Shqipëria ka një eurodeputete. Arba Kokalari, e cila jeton në Stokholm të Suedisë, është shqiptarja e parë që siguron një vend në Parlamentin Europian. Politikania e re është pjesë e partisë së moderuar, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë kështu 4 eurodeputetë, mes të cilëve edhe Kokalarin.
Me një shqipe të admirueshme, Kokalari është mbesa e Musine Kokalarit, gruaja e cila u diplomua në vitin 1941 në universitetin “La Sapienza” në Romë dhe e persekutuar 20 vjet burg nga regjimi i Enver Hoxhës.
“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste. Pasi u internua në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri, ajo vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit – pavarësisht se ishte e shkolluar dhe shkrimtare. Kanë mbetur në kujtim fjalët e saj madhështore në gjyqin komunist – “Nuk duhet të jem komuniste, për ta dashur Shqipërinë!”. Dhe në fakt këtë e dëshmoi mbesa e saj – Arba.
Sivjet kishte mjaft kandidatë shqiptarë në zgjedhjet europiane këtë vit. Ata përfaqësuan Belgjikën, Greqinë, Italinë dhe Suedinë, e ishte pikërisht kjo e fundit që nxori edhe fituesen e vetme./Foldrejt.com