Nën regjinë e shqiptarëve, Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës, Zvicrra është kualifikuar në Top 16 nga radhët e Grupit G në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, shkruan Fol Drejt.
Gëzim Olluri – Fol Drejt
Zvicrra arriti të fitoi me rezultat 3-2 kundër Serbisë në takimin direkt për ta kaluar fazën grupore. Zvicrra kaloi në epërsi në minutën e 20-të me golin e shqiptarit nga Kosova, Xherdan Shaqirit. Në minutën e 26 Aleksandar Mitrović barazoi rezultatin, kurse Dušan Vlahović konkretizoi për epërsinë e serbëve në minutën e 35-të.
Në vijimësi në skenë ishte sërish Xherdan Shaqiri që filloi një aksion të bukur nga ku rrjedhi goli i barazimit përmes Breel Embolo në minutën e 44-të takimit. Me rezultat 2-2 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Zvicrra realizoi golin e tretë dhe të fitores për ta eklispuar Serbinë dhe për ta lënë në fund të Grupit G. Golin e fitores e realizoi Remo Freuler në minutën e 48-të të takimit. Në takimin tjetër të Grupit G, Brazili pavarësisht humbjes 0-1 nga Kameruni, e ka siguruar kualifikimin.
Pas përfundimit të rrethit të tretë, Brazili renditet në vendin e parë me 6 pikë. Në vendin e dytë është listuar Zvicrra gjithashtu me 6 pikë, mirëpo me goldiferencë më të dobët se Brazili. Kameruni është radhitur në vendin e tretë me katër pikë, kurse Serbia ka përfunduar e fundit në grup me vetëm një pikë të fituar./FolDrejt/