Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se ka furnizuar klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe spitalet e përgjithshme me shumicën e penjve kirurgjikë, dorëzave sterile dhe jo sterile, raporton Fol Drejt.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se ka furnizuar klinkat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe spitalet e përgjithshme me shumicën e penjve kirurgjik, doreza sterile dhe jo sterile”, shkruan në komunikatën e ShSKUK-së.
ShSKUK njoftoi se përveç kësaj, janë lëshuar porositë sipas urgjencave dhe në vazhdimësi po vazhdon lëshimi i porosive për furnizim me barna dhe material shpenzues për tremujorin e parë të vitit 2023, sipas kërkesave nga njësitë përbërëse.
“Sa i përket furnizimit me barna në Klinikën e Onkologjisë, gjatë ditëve të fundit gjendja është përmirësuar dukshëm. Sipas raportit zyrtar nga Klinika e Onkologjisë, vetëm nga data 12-23 janar 2023, kjo klinikë është furnizuar me citostatikë në vlerë mbi 1.2 milionë euro”, thuhet tutje në njoftim.
Institucioni theksoi se disa nga mungesat me furnizime janë evidente, në disa raste për arsye të procedurave të prokurimit, por ka edhe raste kur fare nuk paraqiten ofertues.
ShSKUK qartësoi se janë ballafaquar edhe më shumë lëndë që janë duke pritur për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, e që ka shkaktuar vështirësi në furnizim. Kjo i ka detyruar që të procedojnë me procedura për furnizim urgjent. /FolDrejt/