Forcat ruse po planifikojnë të heqin artilerinë e saj nga bregu i djathtë i lumit Dnipro në rajonin Kherson, i cili përfshin qytetin e Khersonit, raportoi Shtabi i Përgjithshëm më 30 tetor, shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
Njësitë që ishin vendosur atje mund të transferoheshin në zona të tjera të vijës së frontit. Ushtria ruse po përpiqet gjithashtu të krijojë “kushte të pajetueshme” për banorët e pjesëve të okupuara të rajonit Kherson. Qyteti i Nova Kakhovka, për shembull, është çkyqur nga interneti dhe lidhja telefonike, ndërsa sipërmarrësve vendas iu tha të mbyllnin dyqanet e tyre ushqimore deri në nëntor.
Më 18 tetor, përfaqësuesi i instaluar nga Moska në rajonin Kherson Vladimir Saldo njoftoi një “zhvendosje të organizuar të popullsisë civile” nga komunat rreth Khersonit në territoret “në bregun e majtë të lumit Dnipro”. Ai tha se të gjithë përfaqësuesit kryesorë rusë, duke përfshirë edhe veten, do të lëviznin gjithashtu.
Megjithatë, sipas Kyrylo Budanov, shefit të inteligjencës së Ukrainës, trupat ruse po krijojnë iluzionin se po largohen nga Kherson; në vend të kësaj, ata po sjellin atje njësi të reja ushtarake për t’u përgatitur për mbrojtje. Budanov e quajti evakuimin e përfaqësuesve kryesorë të instaluar nga Moska dhe zhvendosjen e civilëve, të njoftuar më 18 tetor, “një operacion informimi dhe manipulim në shumë aspekte”, duke shtuar se nuk mund të thuhet me siguri se “ata po ikin nga Khersoni tani.” /FolDrejt/