Shtatë persona u vranë në një sulm ajror nga aeroplanë të paidentifikuar në një kolonë kamionësh me armë në Sirinë lindore, njoftoi organizata joqeveritare Observatori Sirian.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, shtatë shoferë kamioni ose persona që i shoqëronin, të cilët nuk ishin sirianë, u vranë në sulmin që goditi autokolonën në rajonin Bukamal, në kufi me Irakun, përcjell Fol Drejt.
Sipas Observatorit, kamionët po transportonin armë iraniane.
Sulmi u krye në gjashtë kamionë të ngarkuar me armë iraniane sapo ata kaluan kufirin me Irakun dhe hynë në territorin sirian, tha organizata joqeveritare.
“Kamionët ishin të ngarkuar me armë iraniane,” tha kreu i Observatorit, Rami Abdel Rahman.
Irani mbështet qeverinë siriane dhe milicitë pro-iraniane janë vendosur në zonën kufitare me Irakun. Irani nuk ka kufi me Sirinë.
Sipas Observatorit, të paktën dy autokolona të ngjashme hynë në Siri nga Iraku këtë javë.
Në nëntor të vitit të kaluar, të paktën 14 persona u vranë në një sulm ndaj një kolone armësh dhe kamionësh cisternë që transportonin karburant për milicitë pro-iraniane në Siri, pranë kufirit me Irakun, raportoi Observatori.
Në dhjetor, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Avi Kohani, tha se vendi i tij qëndronte pas sulmit ajror, duke thënë se karvani mbante armë me destinacion Libanin, ku lëvizja e armatosur pro-iraniane Hezbollah ka ndikim të fortë.
Izraeli rrallë merr përgjegjësinë për sulmet që kryen në Sirinë fqinje, të cilat janë të drejtuara kundër milicive pro-iraniane, por thotë se dëshiron të parandalojë ngritjen ushtarake të Iranit në kufirin e tij./FolDrejt/