Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë shprehu shqetësimin e thellë të SHBA-së për zhvillimin e programit bërthamor të Iranit, por nuk e konfirmoi se Irani kishte filluar me të vërtetë të prodhonte uranium të pasuruar 60 për qind në uzinën e tij në Fordo.
“Ne vazhdojmë të shohim me shqetësim të thellë jo vetëm zhvillimin e programit bërthamor të Iranit, por edhe përmirësimin e vazhdueshëm të aftësive të tij raketore balistike”, tha John Kirby, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Ai tha se SHBA-ja do të sigurohej që presidenti amerikan “t’i ketë të gjitha opsionet e nevojshme”.
“Ne sigurisht nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë se nuk do të lejojmë Iranin të marrë armë bërthamore”, tha Kirby.
Ai shtoi se presidenti Joe Biden ende beson se rruga diplomatike është mënyra më e mirë për ta arritur këtë, por shtoi se nuk janë afër zgjidhjes diplomatike.
“Ne do ta preferonim shumë këtë, por jemi shumë larg nga kjo,” tha Kirby duke iu referuar negociatave të bllokuara për të ringjallur marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për çështjen bërthamore të Iranit.
Mediat zyrtare të Iranit raportuan sot se Irani ka filluar prodhimin e uraniumit të pasuruar me pastërti 60 për qind në termocentralin nëntokësor bërthamor Fordo në përgjigje të rezolutës bërthamore të Kombeve të Bashkuara. Ky nivel pastërtie është shumë më i lartë se 3.67 përqind e përcaktuar në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, transmeton Fol Drejt.