Shtëpia e Bardhë bëri të ditur të mërkurën se u ka kërkuar 18 personave të emëruar gjatë administratës Trump të japin dorëheqjen nga bordet e akademive ushtarake, duke thënë se Presidenti Joe Biden kërkon që në këto pozita të jenë zyrtarë “në një linjë me vlerat e kësaj administrate”.
Shtëpia e Bardhë tha se të 18-ve, 6 në secilin bord, në atë të Vizitorëve të Akademisë së Aviacionit, Akademisë Ushtarake dhe asaj Detare, u është kërkuar të japin dorëheqjen. Nëse kjo nuk ndodh, detyra e tyre konsiderohet e përfunduar prej orës 6 pasdite (e mërkurë).
Mes personave që u është kërkuar të japin dorëheqjen janë Kellyanne Conway, ish-këshilltare e Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Trump dhe Sean Spicer, ish-zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nën ish-presidentin republikan.
Por në një postim në Twitter drejtuar Presidentit Biden, Conway shkruante: “Unë nuk jap dorëheqjen, por ti duhet ta japësh“.
Spicer, i cili shërben në Bordin e Vizitorëve në Akademinë Detare, tha në emisionin e tij në televizionin Newsmax të mërkurën se nuk do të largohej nga detyra. “Nuk do ta paraqes dorëheqjen dhe do bëhem pjesë e një procesi gjyqësor kundër këtij vendimi“, tha ai më tej.
Ish-shefi i Buxhetit në administratën Trump, Russ Vought bëri gjithashtu të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. “Jo, ky është një mandat tre vjeçar“, shkruante ai në Twitter.