Agjencitë federale amerikane duhet të sigurojnë që pajisjet e tyre të mos kenë më aplikacionin TikTok dhe kanë 30 ditë për ta bërë këtë, njoftoi Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë.
Anëtarët e Kongresit amerikan e konsiderojnë aplikacionin, në pronësi të firmës kineze ByteDance, një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe e ndaluan përdorimin e tij në pajisjet e punonjësve të tyre në një votim në fund të dhjetorit, përcjell Fol Drejt.
Urdhri nga zyra e Shtëpisë së Bardhë është që të zbatohet ligji, i cili u ratifikua nga Presidenti Joseph Biden në fillim të janarit.
Drejtoresha e zyrës, Shalanda Young, u kërkoi agjencive qeveritare amerikane në një memo të ndërpresin dhe të ndalojnë instalimin e aplikacionit në pajisjet e tyre ose pajisjet që ata kontrollojnë dhe të ndalojnë “lidhjet e internetit” nga pajisjet e tyre në aplikacion.
Ndalimi nuk zbatohet për entitetet amerikane të pavarura nga qeveria federale ose për miliona individë që përdorin Tiktok.
Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) dënoi ligjin e ri, duke thënë se ai në fakt përbën një ndalim të TikTok.
“Kongresi nuk duhet të censurojë platforma të tëra dhe t’i privojë amerikanët nga e drejta e tyre kushtetuese për fjalën dhe shprehjen e lirë,” tha këshilltarja kryesore e politikës së ACLU, Jenna Leventoff.
Ne kemi të drejtë të përdorim TikTok dhe platforma të tjera për të ndarë mendimet, idetë dhe pikëpamjet tona me njerëzit në vend dhe në mbarë botën, shtoi ajo.
Perëndimi po shqyrton gjithnjë e më shumë platformën e egër të videove të shkurtra, nga frika se Pekini mund të fitojë akses në të dhënat e përdoruesve në të gjithë botën.
Ndalimi nga qeveria federale e SHBA erdhi disa ditë pas një vendimi të ngjashëm nga Komisioni Evropian, i cili ndaloi aplikacionin TikTok nga stafi i tij për të “mbrojtur” institucionin.
Qeveria kanadeze gjithashtu njoftoi dje se do të ndalojë TikTok në pajisjet celulare që ofron për stafin e saj, duke përmendur një “nivel të papranueshëm rreziku” për privatësinë dhe sigurinë.
TikTok është ndër aplikacionet e ndaluara në Indi që nga viti 2020.
Me më shumë se një miliard përdorues aktivë në mbarë botën, TikTok është platforma e gjashtë më e përdorur sociale, sipas raportit të fundit “We Are Social”, i cili monitoron zhvillimin e sektorit dixhital, të publikuar në janar.
Në nëntor, TikTok pranoi se disa nga punonjësit e saj në Kinë mund të hynin në të dhënat e përdoruesve evropianë dhe në dhjetor pranoi se punonjësit i përdornin ato të dhëna për të gjurmuar gazetarët. Megjithatë, grupi mohon se qeveria kineze ka ndonjë kontroll ose akses në të dhënat e saj./FolDrejt/