Shtëpia më e madhe botuese gjermane Axel Springer, e cila boton ndër të tjera gazetën Bild, ka njoftuar pushime masive nga puna dhe zëvendësimin e pjesshëm të punonjësve të larguar nga puna me inteligjencë artificiale, njoftuan mediat gjermane të mërkurën.
“Do të na duhet t’u themi lamtumirë kolegëve që deri më tani kryenin funksionet e kryera nga proceset e inteligjencës artificiale në botën dixhitale”, thuhet në një email të brendshëm të dërguar nga menaxhmenti për punonjësit.
Në redaksi, shumë pozicione që lidhen me korrigjimin ose dizajnin vizual të faqes mund të eliminohen.
Siç raporton Agjencia Gjermane e Lajmeve (Dpa), më shumë se 200 punonjës janë planifikuar të pushohen nga puna për momentin. Menaxhmenti i Axel Springer ka bërë të ditur se qëllimi i tij është “kujdesi social” për punëtorët që do të humbnin punën.
Anulimet dhe rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale janë të lidhura me strategjinë e kthimit të plotë në edicionin dixhital të të përditshmeve si Bild ose Die Welt dhe heqjen e botimeve të printuara. Nga masat shtrënguese u prekën edhe zyrat rajonale të kësaj shtëpie botuese.
Bild është ende e përditshmja gjermane më e përhapur me rreth 1.1 milionë kopje të shtypura. Por vitet e fundit, qarkullimi ka qenë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2013, Bild shiti dy herë më shumë kopje të shtypura se sot.
Në fund të vitit 2021, Bild shkarkoi gjithashtu kryeredaktorin Julian Reichelt për shkak të akuzave për abuzim me pushtetin dhe ngacmim seksual të kolegeve femra, dhe beteja ligjore me ish-redaktorin është ende në vazhdim, transmeton Fol Drejt.