Tuneli nëntokësor rreth 30 metra i gjatë deri te depoja e Gjykatës së Lartë në Podgoricë është hapur kryesisht nga shtetas të Serbisë, të cilët janë identifikuar, tha ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Filip Axhiq.
Axhiq tha në një konferencë për shtyp më 22 shtator se në krim morën pjesë, Veljko Markoviq (32 vjç), Milan Markoviq (53 vjeç), Dejan Jovanoviq (30 vjeç) dhe Vladimir Eriq (32 vjeç), që të gjithë nga Serbia.
Ata ishin ndihmuar edhe prej njerëzve nga Mali i Zi, sipas tij.
Ai madje i shfaqi edhe fotografitë e tyre për gazetarë gjatë konferencës.
Ministri i Brendshëm Filip Axhiq mban në dorë fotografinë e të dyshuarit, Vladimir Erik, i përfshirë në gërmimin e tunelit nën Gjykatën e Lartë.
Ministri i Brendshëm Filip Axhiq mban në dorë fotografinë e të dyshuarit, Vladimir Erik, i përfshirë në gërmimin e tunelit nën Gjykatën e Lartë.
Tuneli nëntokësor, 30 metra i gjatë, nga bodrumi i një banesë në qendër të Podgoricës deri në depon e Gjykatës së Lartë, u zbulua më 11 shtator.
Policia nuk ka gjetur askënd në banesën që ndodhet në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës dhe siç është konstatuar, banesa u është dhënë me qira personave që kanë përdorur dokumente të falsifikuara.
Në depon e Gjykatës së Lartë, përveç dosjeve gjyqësore, mes së cilave ka prova për vepra të ndryshme penale, ka edhe rreth nëntë tonë e gjysmë lëndë narkotike të konfiskuara, nga të cilat rreth dy tonë janë kokainë dhe rreth shtatë tonë marihuanë.
Axhiq tha se është paraqitur padi edhe ndaj dy personave të paidentifikuar.
Të gjithë ata, ikën nga Mali i Zi në grupe të vogla më 11 shtator pasi e kreu krimin, ditën kur u zbulua se depoja ishte plaçkitur, prandaj edhe nuk kanë mundur të arrestoheshin.
Muret e tunelit deri te depoja e Gjykatës së Lartë janë të veshura me dërrasa, për të parandaluar shembjen e dheut dhe gurëve.
“Ka një lidhje mes kësaj organizate dhe një personi nga Gjykata e Lartë dhe me persona që aktualisht janë në Administratën për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe që janë të lidhur me një nga organizatat kriminale në vend”, tha Axhiq.
Shumica e të identifikuarve kanë të kaluar kriminale dhe janë në regjistrat e krimeve të vendeve të tjera, tha Axhiq, duke shtuar se autoritetet e kanë një pistë tashmë e cila i çon ata te autorët.
Duke qenë se ata nuk janë nga Mali i Zi, tha ai, është e rëndësishme që ata të arrestohen në bashkëpunim me shërbimet shtetërore nga rajoni.
Ai shtoi se në krim morën pjesë së paku pesë persona të tjerë, të cilët ofruan ndihmë logjistike, apo mbështetje tjetër.
Axhiq e shfaqi edhe një fotografi të një gruaje e cila është e lidhur me atë rast, duke thënë se ajo është shtetase e Malit të Zi dhe se nuk dihet nëse ajo është larguar nga vendi.
Ai tha se autoritetet kanë një pistë që i çon te autorët dhe se nga veprimet e mëtejshme duhet të përcaktohet nëse personi i Gjykatës së Lartë mori pjesë në një organizatë kriminale, apo nëse vetëm ka lidhje me të.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, duke shikuar tunelin e ndërtuar fshehurazi që të çon në depon e Gjykatës së Lartë, 13 shtator 2023.
“Duke qenë se tashmë kemi një lidhje të caktuar mes personave të Gjykatës së Lartë, organizatës kriminale që ka gërmuar dhe atyre që qëndrojnë në UIKS, jemi një hap më afër zbulimit të motivit të vërtetë të gërmimit të tunelit dhe hyrjes në depo”, shtoi Axhiq.
Ai tha se nuk do t’i kërkojë kryetarit të Gjykatës së Lartë, Boris Saviq, të japë dorëheqje.
“Kam informacion se Saviqi ka përdorur çelësat e depos dhe se është dashur të njihet me të gjithë ata që kanë qëndruar në depo. Hetimi shtesë do të tregojë nëse ai ka ndonjë lidhje. Nuk kemi asnjë informacion se Saviqi është i lidhur me këto aktivitete kriminale”, theksoi ai./rel