Shtatë shtete evropiane përfshirë Holandën, Italinë dhe Spanjën ndaluan udhëtarët turq të hyjnë në territorin e tyre derisa rastet e infektimit me variantin Omicron të koronavirusit vazhdojnë të përhapën.
Rastet ditore me koronavirus në Turqi arritën në nivelin më të lartë që nga muaji prill, përgjatë kësaj jave. Megjithatë, 37 mijë të infektuar në Turqi paraqet numër më të ulët krahasuar me shifrat në disa shtete evropiane.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Turqisë (SHGM), që nga 28 dhjetori Holanda, Italia, Spanja, Luksemburgu, Kroacia, Islanda dhe Zvicra nuk pranojnë udhëtarë nga Turqia. Ndërkaq sipas njoftimit të gjithë udhëtarët duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit nëse duan të hyjnë në Portugali apo Suedi.
Në Holandë tashmë që nga fundi i dhjetorit është në fuqi izolimi, masë kjo e cila do të shqyrtohet sërish më 14 janar. Shtetet tjera shënuan mijëra raste me koronavirus përgjatë javës ndonëse janë duke u përpjekur të ruajnë baraspeshën në mes të masave dhe ekonomisë.
Në anën tjetër Turqia, siç shkruan Reuters nuk do të vendosë masa të reja dhe në vend të kësaj autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të vaksinohen.
Për më tepër, nga 30 dhjetori Turqia filloi fushatën e vaksinimit edhe me vaksinën e prodhuar në vend, Turkovac.